Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar sot kryetarin e zgjedhur të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për t’i uruar këtij të fundit triumfin në zgjedhjet e së dielës, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se institucionet lokale do të bashkëpunojnë me ato qendrore, për t’i realizuar projektet e ndryshme.
“I nderuar me vizitën e Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili erdhi për të më uruar për mandatin e ri të fituar në zgjedhjet e 14 nëntorit. Shprehëm zotimet tona që si institucione lokale dhe qendrore të përafrojme qëndrimet tona dhe të bashkëpunojmë në projekte të ndryshme në interesin e qytetarëve tanë. E falënderova z. Konjufca për përkrahjen dhe mbështetjen e palodhshme në fushatën tonë në Podujevë”, ka shkruar Bulliqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare, sipas të cilave, kryetari aktual, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51.84 për qind të votave, apo saktësisht 20 mijë e 282 vota. Në anën tjetër, Ekrem Hyseni nga LDK-ja ka marrë 48.16 për qind ose 18.845 vota, pa llogaritur ato të diasporës dhe ato me kusht./Llapi.info






