Rruga e cila është në përfundim e sipër skaj lumit Llap, po vazhdon të ketë probleme të mëdha mes banorëve dhe punëkryesit, raporton Llapi.info
Banorët sot kanë kundërshtuar punimet në një pjesë të rrugës, madje ka pasur edhe konfrontime mes tyre dhe punëtorëve të kompanisë së kontraktuar nga Komuna.
“Kjo është prona ime dhe nuk do t’iu lejojmë të punoni. Kemi me vendos edhe pengesa”, ishin fjalët e një banori drejtuar një punëtorit të cilit edhe i kishin bllokuar rrugën.
Ata po e kundërshtojnë pasi po pretendojnë se Komuna ka ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit.
Banorët e kësaj lagjeje [Blakçori] thonë se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, tash kur ka ardhur koha t’i vihet asfalti, sipas banorëve fjalët kanë ndërruar dhe për këtë arsye edhe nuk po lejojnë të asfaltohet rruga.
Ata shprehen se do ta vazhdohet të kundërshtohet ndërtimi i rrugës edhe përkundër miratimit në Komunën e Podujevës, si shpallje në interes publik pronën private.
Kujtojmë, kjo rrugë është shpallur në interes publik në seancën e fundit në Kuvendin Komunal të Podujevës, me votat e pozitës, pas kërkesës nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha. Ndërsa, opozita e ka kundërshtuar fuqishëm, madje punimet në këtë rrugë i kanë konsideruar si të jashtëligjshme.
“Nuk është bërë asnjë hap dhe asnjë planifikim në atë rrugë. Duhet të arrihet marrëveshje me qytetarët. Ajo rrugë nuk i plotëson standardet. Andaj, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahë e as nuk e voton këtë pikë”, ka thënë në seancë Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje.
Miratimin e kësaj rruge nuk kanë përkrahur as PDK. Shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se për atë rrugë është shkelur ligji.
“Kryetari Veliu ka biseduar me qytetarët në vitin 2016 dhe që gati tri vite i ka lajthitur qytetarët me të marr përsëri pushtetin. Kryetari Veliu e ka shkelur ligjin për pronën private. Nuk ka pasur as debat publik për atë rrugë, e jo tash me shku me ja rrëzu shtëpinë. Ky vendim kalon se e përkrahë LDK-ja edhe pse ka probleme private. Ne si grup i këshilltarëve të PDK-së nuk e mbështesim këtë pikë”, ka thënë ai./Llapi.info







