Lokale - eSIMy

Kandidati për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, njëherësh kryetar aktual, ka akuzuar LDK-në për fushatë denigruese ndaj tij.

Në Kanal10, Bulliqi ka akuzuar rëndë Lidhjen Demokratike të Kosovës edhe për manipulim votash në zgjedhjet lokale 2021.

Madje, sipas Bulliqit, LDK ka shpërndarë edhe disa fotografi, kinse ai është me një femër.

“Kjo është niveli që kanë arrit me ra, shikoni me çka janë marrë, kanë tentuar të ulin me çdo kusht integritetin tim, fotografi kinse janë të mijat, këtë e bëjnë LDK, kinse ky është kryetari i komunës me femra, pa qenë unë fare pjesë e fotografisë. Fotografi të improvizuara”, deklaroi ai.

Bulliqi, më pastaj, në një reagim në Facebook, ka thënë se të gjitha këto, siç i ka quajtur ai, vijnë nga një fushatë e ulët e ekipit të Ekrem Hysenit. Bulliqi ka publikuar edhe disa pamje në rrjetin social Facebook.

Pas këtyre akuzave, ka reaguar edhe kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, i cili këtë më shumë e ka quajtur si viktimizim.

“Për më tepër, akuzat e bëra mbrëmë nuk i kemi dëgjuar para publikimit të rezultatit të votimit në komunën e Podujevës. Viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte”, ka shkruar ai pos tjerash.

Por, fushata kësaj radhe e LDK-së dallon nga herët tjera. Kjo pasi që “militantë” të kësaj partie kanë hapur qindra profile të rrejshme. Target i tyre ka qenë kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi.

Madje, janë hapur edhe profile të rrejshme me mbiemër “Bulliqi”, duke komentuar në të gjitha anët kundër kandidatit të VV-së. Në disa prej tyre, në kohë të fushatës, nëpër shumë komente, është shpërndarë pikërisht fotoja të cilët e publikoi dje vetë Bulliqi.

Më poshtë fotot e profileve të rrejshme: