Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka regjistruar sot edhe 53 raste të reja me COVID-19, pas kryerjes së 313 testimeve me mostrat e marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, raporton Llapi.info.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 18 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Stanovc i epërm, 4 raste Vushtrri, 1 rast Gllavotin, 1 rast Maxhunaj dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prishtinës 18 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Prishtinë), komuna e Istogut 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Shushicë), komuna e Rahovecit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Fushë Kosovë, Skifteraj-Viti dhe Pejë”, thuhet në njoftim.
Sipas IKSHPK-së, sot janë shëruar 7 pacientë nga virusi, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 928.
Marrë parasysh të dhënat e fundit të Institutit, deri më sot në Kosovë janë infektuar me COVID-19 1.437 qytetarë. Prej tyre, 928 janë shëruar, kurse 32 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info






