Komuna e Malishevës është duke ndërtuar shtëpinë për veteranin e UÇK-së, Naim Gashi nga Balinca. Kjo shtëpi, është duke u ndërtuar në kuadër të investimeve të Komunës së Malishevës në ndërtimin e shtëpive për familjet që e kanë problem strehimin, e në mesin e tyre edhe të këtij veterani të luftës.

Këto punime të shtëpisë, i ka parë nga afër edhe i pari i Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, të cilët edhe e kanë përgëzuar veteranin Naim Gashi, për shtëpinë. Vizita është bërë, sot, pasi shtëpisë i është vendosur pllaka.

“Ne kemi obligime ndaj qytetarëve tanë të cilët e kanë problem strehimin dhe jetojnë në kushte të rënda sociale. Në këtë rast kemi edhe një obligim shtesë, pasi kemi të bëjmë me një veteran të luftës, i cili e ka kryer obligimin e tij qytetar, kur më shumti ka pasur nevojë vendi dhe ka qenë i gatshëm të vdes për vendin”, tha mes tjerash kryetari Begaj, gjatë vizitës në shtëpinë e Naim Gashit në Balincë.

“Rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe krijimi i kushteve normale për jetë, është një obligim i yni, i cili brenda mundësive buxhetore të komunës, është duke u realizuar”, tha Begaj.