Komuna e Podujevës, nëpërmjet një projekti “Eja vizito Podujevës”, të realizuar nga Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, synon ngritjen dhe promovimin e turizmit në këtë anë, shkruan Llapi.info.

Në një video të publikuar nga faqja zyrtare janë përmendur vendet që duhen të vizitohen, teksa është thënë se qytetarët llapjanë janë mikpritës dhe të zellshëm në punë.

“Nga Parku i Paqes, që i jep frymë dhe hijeshi qytetit. Fushat bujqësore dhe blegtoria, me potencial të madh për zhvillim.

Bjeshkët e larta dhe pitoreske të Popovës me burime të shumta ujore dhe male mahnitëse dhe shtigjet e ecjes së bjeshkatarëve.

Bellosica e Murgullës, me burime të shumta ujore, nga ku buron lumi Llap dhe me “bunaret e Sasëve”, eksploruesve të parë të xeheve, të cilat mendohet të t’i takojnë periudhës romake.

Miniera e Drazhnjes dhe liqeni artificial.                                            

Liqeni i Batllavës, që furnizon me ujë gjysmën e Kosovës, me restuarantet me shërbimin dhe ushqimin më të mirë në vend. Me objektet e vjetra të trashëgimisë kulturore dhe fetare, tek Kulla e Zahirit në Turuqicë dhe shqiponja – simboli ynë kombëtar.

Qyteti me sheshin përplot gjallëri e lumin përmes dhe kafenetë buzë tij.

Treva e Llapit, me qytetarët e saj të vyeshëm dhe mikpritës, ofron edhe shumë mundësi të tjera për të kaluar një ditë apo fundjavë të këndshme.

Ejani dhe vizitojeni Podujevën”, thuhet në njoftim./Llapi.info

VIDEO