Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me drejtoreshën e Agjencisë për Ndihmë Juridike, Anita Alaj Kalanderi,ku qëllimi i këtij bashkëpunimi është që Agjencia për Ndihmë Juridike të ofrojë shërbimet e saj edhe në Komunën e Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Nga java e ardhshme do të fillojë të mbahet kampanjë dy javore, saktësisht sesione informuese për punën dhe veprimtaritë e agjencisë.
Kjo zyrë do të zhvendoset në një nga zyret e ish objektit të komunës.
Kryetari Bulliqi tha se “Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Komunës sonë, ku tash e tutje do ta kenë një adresë ku mund të marrin shërbime juridike falas për t’i shfrytëzuar të drejtat e tyre”.
Gjithashtu kryetari Bulliqi u zotua që ne si institucion do t’i kryjmë të gjitha obligimet që na takojnë dhe ky projekt pritet të implementohet shumë shpejt për qytetarët e Komunës së Podujevës.
Ky bashkëpunim është mes Agjencisë për Ndihmë Juridike, Komunës së Podujevës dhe GIZ-it gjerman si bashkëfinancues./Llapi.info






