Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, ka propozuar heqjen e taksës komunale për bizneset që operojnë në këtë Komunë, shkruan Llapi.info.

Këtë propozim përpara asamblesë komunale e ka paraqitur drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, i cili më pas është miratuar që të vihet në diskutim.

Balaj ka thënë se në seancën paraprake ka pasur mospajtime nga grupet parlamentare, për çka, siç ka thënë ai, është ndryshuar neni 2 në këtë propozim, kurse është neni 6 do të riformulohet.

“Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste”, është shprehur Balaj.

Në anë tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përveç kësaj, ka kërkuar edhe faljen e gjobave për këtë taksë për bizneset në Llap.

“Kjo rregullore është miratuar në vitin 2018 edhe pse atë kohë është bë plotësim-ndryshimi dhe e kemi ulë për 50 për qind çmimin e taksave. Mirëpo, përveç që kam kërkuar lirimin e të gjitha bizneseve nga taksat po e bëj edhe një sqarim pasi kjo taksë e ka bazën nga Ligji mbi financat publike, mirëpo kjo është më problematike për me inkasua. Dhe për shkak se është problem me inkasua, janë nëse nuk gaboj rreth 3 milionë euro borxhe nga vitet e kaluara. Në këtë vit për tremujorin prej 120 mijë euro që kanë qenë të parapara nga kjo taksë, vetëm 3 për qind janë realizuar. Në të ardhmen është mirë që Kuvendi të merret me këtë çështje e ndoshta edhe për shlyerjen e këtyre borxheve, sepse mbetet një performancë shumë e keqe e Komunës për mosinkasim tët ë hyrave vetanake, pasi pothuajse 95 për qind të subjekteve afariste nuk e kanë paguar këtë taksë”, ka thënë ai këshilltari i LDK-së, Mehmet Gashi.

Në këtë dokument është propozuar që neni 6 të fshihet dhe riformulohet me tekstin si në vijim:

1. Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste.

“Në pikën 2 të të njëjtit nen thuhet se subjektet afariste që pretendojnë shlyerjen e borxhit si pasojë e mosushtrimit të aktivitetit afarist mund t’i parashtrojnë kërkesë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik për shlyerjen e borxhit duke ofruar dëshmi nga Administrata Tatimor e Kosovës (formularët e qarkullimit tremujor zero-zero) për vitin apo vitet që pretendon sipas kërkesës ose dëshminë për pezullimin e aktivitetit të subjektit afarist për vitin përkatës lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Subjektet afariste të cilat kanë pësuar dëme si pasojë e fatkeqësive elementare, për ndonjë shkak tjetër madhor ose arsye tjera objektive pa fajin e tyre, në bazë të dëshmive të lëshuara nga organet kompetente dhe sipas kërkesës së parashtruar mund t’u shlyhet ngarkesa për vitin në të cilin kanë pësuar dëme. 4. kërkesa për shlyerjen e borxhit 10 euro. 5. Kërkesa për certifikatë si dëshmi për kryerjen e obligimeve 1 euro”, thuhet tutje në këtë nen.

Pas diskutimeve, kjo pikë e rendit të ditës që të hiqet taksa komunale është miratuar që të vihet në diskutim publik./Llapi.info