Komuna e Podujevës po vazhdon të mos jetë transparente edhe për sa i përket planifikimit të prokurimit, njofton Llapi.info.

Vetëm gjatë vitit 2019, në Komunën e Podujevës janë kryer 179 kontrata, prej të cilave 105 as që janë publikuar. Kështu thuhet në monitorimin e organizatës joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovës”.

Në një komunikatë për medie, SDK thotë se ka vërejtur se Komuna e Podujevës ka ngecje në realizim të plotë të Planifikimit të prokurimit si dhe në transparencë të aktiviteteve të tyre.

“Planifikimi i prokurimit për vitin 2019 parasheh gjithsej 111 aktivitete për prokurim, për deri sa të realizuara janë vetëm 62 aktivitete, ndërsa të pa realizuara kanë mbetur 49 aktivitete. Nga kjo mund të konstatojmë se vetëm  55.86% është realizuar Planifikimi i prokurimit për vitin 2019, përderisa ka mbetur pa u realizuar 44.14%. Nëse i referohemi në tërësi aktiviteteve të prokuruara gjatë vitit 2019, shohim se janë gjithsej 179 aktivitete të prokuruara. Krahasuar me Planifikimin fillestar të prokurimit, shohim se janë 117 aktivitete të prokuruara të cilat nuk kanë qenë fare të përfshira me Planifikim fillestar. Pra 65.36% e aktiviteteve të prokuruara gjatë vitit 2019 janë jashtë Planifikimit fillestar të prokurimit. Nga këto aktivitete janë 52 kontrata të lidhura të vlerës minimale, të cilat nuk kanë qenë fare të përfshira në Planifikimin fillestar të prokurimit. Kjo tregon për një jo seriozitet të planifikimit të prokurimit dhe mos përfillje të zbatimit të këtij planifikimi”, thuhet në komunikatë.

Sipas SDK-së, Komuna e Podujevës s’i ka publikuar 105 kontrata, nga gjithsej 179 sa kanë qenë në total.

“Sa i përket transparencës së aktiviteteve të prokurimit për vitin 2019, fokusi ka qenë tek publikimi i kontratave në uebfaqen e komunës. Nga gjithsej 179 kontrata të lidhura, 105 nuk janë fare të publikuara, ndërsa 69 janë të publikuara, por duke mos përfshirë pjesën kryesore të Kontratës që është Paramasa dhe Parallogaria. Ndërsa janë vetëm 5 kontrata të publikuara që përfshihet edhe paramasa dhe parallogaria”, thuhet tutje.

Me këtë rast, SDK, duke e parë këtë trend të zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit, ka rekomanduar  Komunën e Podujevës, që t’i kushtoj rëndësi dhe seriozitet Planifikimit të mirëfilltë të prokurimit./Llapi.info