Komuna e Podujevës s’e ka dhënë të saktë numrin total të të infektuarve me COVID-19, shkruan Llapi.info.
Në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Komunal është thënë se deri më tani janë regjistruar 3007 raste pozitive. Por, ky numër nuk përkon me atë se çfarë është thënë më 24 shkurt, në mbledhjen e po këtij shtabi.

Në mbledhjen e mbajtur më 24 shkurt është bërë e ditur se pozitivë për virusin korona kanë rezultuar 3001 qytetarë llapjanë. Krahasuar me këtë, i bie se që nga 24 shkurti, e deri më sot (12 mars), pozitivë kanë dalë vetëm gjashtë persona.

Në anën tjetër, thuajse çdo ditë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëhet e ditur se dhjetëra raste pozitive dalin nga kjo Komunë. Madje, në vetëm dy ditët e fundit, pozitivë për COVID-19 në Podujevë kanë dalë 72 persona.
E tek pas raportimi të Llapi.info, Komuna e Podujevës ka rregulluar këtë lëshim. Aty është rregulluar numri total i rasteve.
“Aktualisht janë gjithsej 211 raste aktive, kurse që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 3,238 raste me virus, prej tyre 46 persona nuk i kanë mbijetuar këtij virusi”, thuhet në njoftimin e përditësuar.
Ndërkaq, epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama tha se ditëve të fundit ka rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë në Qendrën për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në QKMF, kurse tek personat e infektuar vërehen simptoma më agresive të virusit./Llapi.info






