Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Vezir Januzi, kanë bërë sot shpërndarjen e pajisjeve për bletari, nga i cili projekt kanë përfituar 150 bletarë, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Në kuadër të projekteve për subvencionime në bujqësi nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, sot janë shpërndarë pajisje për 150 bletarë llapjanë.
Me rastin e shpërndarjes së këtyre pajisjeve nënkryetari Rudari ka uruar bletarët përfitues, duke potencuar se Komuna do të vazhdojë me subvencionime të fermerëve në të gjithë sektorët e bujqësisë.
Pajisjet e shpërndara për bletarë përfshijnë nga tri koshere tre katëshe, një centrifugë, koritë për zhvulosje, një palë rroba pune, tri palë doreza, çelës për hapjen e koshereve dhe kulluese për mjaltë./Llapi.info







