Lokale - eSIMy

Në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është miratuar propozimi i Bashkësisë Islame për subvencionimin e shpenzimeve për shërbimin e varrimit të qytetarëve me vendbanim të përhershëm në territorin e Komunës së Podujevës edhe për dy vite, njofton Llapi.info

Drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, duke kërkuar që të miratohet, tha se ky propozim i kushton Komunës 100 mijë euro.

“Është një kërkesë e Bashkësisë Islame që ky shërbim me kushte të njëjta të vazhdoj më tutje. Ky propozim të vazhdoj deri më 31 dhjetor të vitit 2020. Ky shërbim Komunës i kushton 100 mijë euro, ndërsa në të ardhmen besoj që Komuna e jonë duhet të ketë edhe shërbime të tjera brenda varrezave. Do të kemi investime edhe në infrastrukturë në lokacione të ndryshme të varrezave nëpër fshatra”, tha ai.

Këtë pikë të rendit e përkrahen të gjitha grupet parlamentare në Komunën e Podujevës, por që kërkuan që në të ardhmen të rritet edhe më shumë buxheti.

“E mbështesim kërkesën e Bashkësisë Islame, gjithashtu në të ardhmen duhet të shikohet një rregullore e cila do të bëjë mirëmbajtjen e varrezave, për arsye se gjendja e varrezave në Komunën tonë nuk është e mirë”, tha Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas hedhjes në votim, ky rend dite u miratua me të gjitha votat pro nga të gjitha grupet parlamentare./Llapi.info