Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës është gjobitur me 20 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të AIP-së, Komuna është gjobitur me arsyetimin se e njëjta ka të publikuara lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave të qytetarëve, të cilët kanë fituar subvencione, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (Agjencia), më datë 10.03.2022, ka pranuar informacion se Komuna e Podujevës në faqen zyrtare të saj (internet) ka të publikuara për një kohë të gjatë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave (fermerëve), duke përfshirë emrin, mbiemrin, numrin personal, numrin e telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022. Në mbështetje të nenit 68 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas detyrës zyrtare, më datë 10.03.2022, Agjencia ka filluar procedurën e inspektimit për verifikimin e 2 informacioneve të pranuara. Fillimisht zyrtarët e inspektimit të Agjencisë, kanë inspektuar faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, https://kk.rks-gov.net/podujeve/, në të cilën është vërejtur rubrika SUBVENCIONE dhe pas hapjes së kësaj rubrike, hapet dritarja në të cilën shfaqen dokumente të ndara në vite 2018, 2019, 2020 dhe 2021, ku secili vit ka të listuar disa dokumente-lista me të dhënat e fermerëve përfitues, sipas fushave të cilat ata kanë marrë subvencione”, thuhet në vendim.

Por, këtë gjobë, zyrtarët e tanishëm komunalë, thonë se kanë “trashëguar” nga ish-qeverisja e LDK-së. Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, i ka thënë portali Llapi.info se publikimi i tyre është bërë që nga vitit 2017 dhe të njëjtën praktikë e kanë vazhduar edhe ata, pa e ditur se mund të gjobiten.

“Po jemi gjobitur si Komunë për shkak të publikimit të dhënave personale të përfituesve të subvencioneve. Publikimi i tyre është bërë që nga viti 2017 dhe që nga koha e qeverisjes tonë ne nuk jemi paralajmëruar për këtë gjë, ndërsa para mandatit tonë nuk kam informacione se a është paralajmëruar Komuna për këtë çështje. Qëllimi i publikimit me të dhënat personale ishte që në ndarjen e subvencioneve të jemi sa më transparent para qytetarëve”, ka thënë Zhitia.

Ndryshe, AIP gjithashtu ju ka bërë thirrje të gjithë kontrolluesve si publikë dhe privat, që përpunimin e të dhënave personale ta bëjë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën do të ndërmarrin masat e duhura deri tek shqiptimi i gjobave./Llapi.info

VENDIMI I PLOTË I AGJENCISË PËR INFORMIM DHE PRIVATËSI