Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës, në janar të këtij viti, pati hapur tenderin për trajtimin e qenve endacakë, raporton Llapi.info.

Për këtë problematikë, Komuna e Podujevës pati planifikuar t’i shpenzonte 25 mijë euro.

Por, ky aktivitet, i cili ishte për qëllim të trajtimit të qenve endacakë, është anuluar. Kështu të paktën thuhet në faqen zyrtare të Komunës.

“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”, thuhet në arsyetimin për anulimin e këtij aktiviteti.

Sipas të njëjtit njoftim, në këtë tender është vlerësuar se asnjë operator ekonomik nuk kishte qenë i përgjegjshëm.

Ndryshe, qytetarët e Podujevës janë në hall me llavat e qenve endacakë që sillen vërdallë rrugëve të qytetit. Ata kanë ‘pushtuar’ secilën rrugë, institucione arsimore, shëndetësore e parqe të qytetit.

Në mungesë të strehimit, qentë bredhin rrugëve. Qentë në shumicën e kohës gjenden pranë kontejnerëve apo afër hapësirave të ndërtesave banuese duke kërkuar ushqim e strehim. Në mungesë të ushqimit, shpeshherë ata dinë të bëhen edhe agresivë e që kjo gjë po paraqet në vazhdimësi problem për qytetarët llapjanë.

Nuk janë të pakta ankesat e qytetarëve drejtuar institucioneve për rrezikun që u shkaktohen nga këta qen, derisa edhe komuna tjera kanë planifikuar trajtimin e tyre./Llapi.info

VENDIMI I PLOTË PËR ANULIMIN E AKTIVITETIT