Nën organizimin e Komunës së Podujevës, kryetarit z. Shpejtim Bulliqi, DKRS-së, drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Elhame Kutllovci, për arritjet dhe stolisjen me trofeun e Kupës së Kosovës, është u organizuar sot manifestim falënderues për kryesinë e klubit, stafin teknik dhe administrativ, futbollistët e K.F. Llapi dhe anëtarët e kryesisë së tifozerisë “Legjendat”, njofton Llapi.info.

Me këtë rast, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka ripërsëritur qëndrimin se mbështetja e Komunës do vijojë për klubin.

“Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi falënderoi për të gjitha emocionet dhe arritjet e këtij suksesi historik, duke filluar nga kryesia e klubit, shtabi teknik si dhe meritorët – futbollistët. Kryetari Bulliqi theksoi edhe një herë se mbështetjen e Komunës do ta kenë gjithmonë dhe arritjet e tilla vlerësohen lartë nga i gjithë qyteti”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Më pas nënkryetari i FFK-së, z. Agim Dibrani përshëndeti të gjithë të pranishmit duke uruar kryesinë, stafin e futbollistët për stolisjen me trofeun e Kupës së Kosovës, duke iu dëshiruar suksese në arenën ndërkombëtare”, thuhet tutje.

“Kryetrajneri i K.F. Llapi, z. Tahir Batatina duke përshëndetur të pranishmit përgëzoi komunën e Podujevës, kryetarin dhe drejtoreshën për organizimin dhe kontributin e tyre dhënë klubit të qytetit, K.F. Llapi. Njëherit theksoi se klubi meriton edhe më tepër përkrahje të institucioneve komunale e atyre shtetërore, pasi pas 89 viteve klub, arritja e këtij suksesi është historik dhe mbështetja skuadrës i duhet edhe në garat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

“Një fjalim rasti u ftua kapiteni i skuadrës, Mentor Zhdrella i cili falënderoi kryetarin Bulliqi për organizimin, njëherit theksoi se pa mbështetjen e familjes Batatina dhe akterëve tjerë, ndër ta edhe Komuna e Podujevës, suksesi do ishte më vështirë i arritur. Njëherit premtoi angazhim dhe punë të madhe edhe në vazhdim, pra sidomos në arenën ndërkombëtare. Për fund, kryetarin z. Shpejtim Bulliqi dhe drejtoreshën znj. Elhame Kutllovci, kryetrajneri i K.F. Llapi, z. Tahir Batatina i shpërbleu me nga një fanellë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë për K.F. Llapin”, përfundon njoftimi./Llapi.info