Komuna e Podujevës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë dhënë krejt shifra të ndryshme sa i pëket rasteve aktive dhe atyre të vdekjeve me COVID-19, raporton Llapi.info.
Përderisa këto statistika publikohen çdo ditë nga IKSHPK, në mbledhjen e Shtabit Emergjent në Komunën e Podujevës është thënë se ka më pak raste aktive dhe atyre me fatalitet.
Siç ka njoftuar sot Komuna e Podujevës, në mbledhjen e Shtabit Emergjent, epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama tha se më datën 26 korrik nuk kemi pasur asnjë rast aktiv në komunën e Podujevës, prej datës 27 korrik filluan rastet aktive, e ku dy javët e fundit është rritur numri dukshëm.
Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë 669 raste aktive, ndërsa numri total i rasteve aktive është 897 persona, të shëruar 5133 dhe raste që përfunduan me fatalitet 65 (eksitus).
Por, këto statistika nuk figurojnë në të dhënat zyrtare të IKSHPK-së. Në këtë instituti është thënë se aktualisht në Podujevë janë aktivë edhe 1.251 persona.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani, në këtë Komunë kanë vdekur 76 persona pozitivë me COVID-19, kurse 4,995 pacientë janë shpallur të shëruar./Llapi.info








