Marrëveshja, të cilën Kosova e firmosi me Gjermaninë për punësim sezonal të kosovarëve, duket se do t’i lërë kompanitë kosovare pa punëtorë. Të hënën në një konferencë për medie kryetari OEK-ut, Berat Rukiqi, ka bërë të ditur se mbi 24 mijë punëtorë nga viti 2017 kanë ikur nga Kosova, por zyrtarë të BSPK-së thonë se numri i punëtorëve që kanë ikur është 34 mijë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Numri i punëtorëve që do ta braktisin Kosovën pas liberalizimit të vizave pritet të rritet dukshëm, pasi deri më tash pjesa dërrmuese e punëtorëve që kanë punuar nëpër kompani kosovare janë shprehur të pakënaqur. Në disa kompani të mëdha tashmë kanë filluar lëvizjet e para të punëtorëve. Për t’i shmangur këto largime pronarë të kompanive të mëdha në vend po rekomandojnë qasje më të mira ndaj punëtorëve në ambientet e punës.
Pronari i kompanisë “Meka Hallall Food”, Burim Piraj, ka treguar për gazetën “Zëri” se i është larguar një punëtor, i cili ka ikur jashtë për të punuar, por është rikthyer sërish në një kompani tjetër në Kosovë për të vazhduar punën. “Kam pasur një rast, një punëtor e ka lënë punën. Mirëpo atje ku ka shkuar nuk është rehatuar dhe është kthyer prapë për të punuar, por jo në firmën tonë. Problemi i ikjes do të jetë shumë real, kompanitë që bashkëpunojmë, sidomos ato që merren me tregti, kanë probleme t’i gjejnë punëtorët e të punojnë në kushtet kosovare”, ka deklaruar ai.
Tutje Piraj ka komentuar edhe mungesën e kushteve të punës në kompani të caktuara në Kosovë. “Në shumë kompani punëtorët nuk i gëzojnë të drejtat që u takojnë edhe kjo do të jetë një hap pozitiv që kompanitë të tjetërsohen brendapërbrenda kompanive dhe të kenë qasje tjetër ndaj fuqisë punëtore dhe resurseve humane”, ka shtuar në mes tjerash.
Por në anën tjetër, shifrat për ikjen e punëtorëve nuk po i konsiderojnë reale përfaqësuesit e Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë.
Azemi demanton ASK-në
Gjendje krize me humbje të fuqisë punëtore po paralajmëron kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi. Sipas tij, institucionet në Kosovë nuk janë duke u përkujdesur sa duhet për gjendjen e punëtorëve. “Nuk është dhënë një statistikë e saktë. Prej vitit 2017 i kemi 34 mijë punëtorë që kanë ikur. Ne nuk kemi ndonjë të dhënë të saktë, mendoj se numri është më i madh. Nuk është shifër reale. Megjithatë, fatkeqësisht institucionet tona nuk janë duke i kushtuar kujdes të mjaftueshëm gjendjes së punëtorëve të sektorit privat ose gjendjes së punëtorëve dhe në mënyrë graduale jemi duke shkuar në një humnerë”, është shprehur ai.
Sipas përfaqësuesit të Punëtorëve të Sektorit Privat, për një kohë të shkurtër Kosova rrezikon të mbetet pa punëtorë. “Për një kohë shumë të shkurtër do të vijmë në një kohë që nuk do të kemi punëtorë të profileve të ndryshme. Kjo është e rrezikshme, e dëmshme, por megjithatë udhëheqjes nuk është duke i interesuar që vendi do të mbetet pa punëtorë. Fabrikat tona do të mbesin të stopuara”, ka paralajmëruar tutje ai.
Azemi ka treguar se edhe në qendra të komunave është zvogëluar numri i punëtorëve. “Mund të dilni në qendra të komunave, numri i të rinjve në rrugë nuk është siç ka qenë më herët. Qeveria e Kosovës ende nuk e ka bërë ndryshimin e pagës minimale. Është mirë, por nuk kemi rregulla, sepse këta njerëz që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje duhet të japin llogari dhe përgjegjësi”, ka përfunduar në mes tjerash.
Për çështjen e pagës minimale dhe për braktisjen e vendit nga punëtorët kosovarë gazeta ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës, por nga aty nuk i janë përgjigjur interesimit të redaksisë.
Shteti lë në “harresë” hallet e punëtorëve
Për gjendjen e tillë të braktisjes së vendit nga punëtorët ekspertët e ekonomisë janë duke fajësuar shtetin që po merret me probleme tjera në vend të trajtimit të halleve të punëtorëve.
Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka përmendur një varg arsyesh të ikjeve të punëtorëve, duke përfshirë statusin social e të ardhurat. “Arsyet e ikjes së punëtorëve janë të ndryshme, kryesisht lidhen me të ardhurat, mirëpo jodomosdoshmërish është edhe statusi social që do ta gëzojnë në vendet ku migrojnë. Kuadrot që po migrojnë janë fundamentale për zhvillimin ekonomik, janë profesionet si inxhinierët, teknologët, mjekët, programuesit. Pastaj profesionet e ndryshme siç janë të zejtarisë, instaluesit, elektrikët, automekanikët. Të gjithë këta kërkojnë tregun e punës, për arsye se ata shumë lehtë futen në një treg që po rritet”, ka deklaruar Gashi.
Si probleme kyçe në Kosovë, sipas tij, janë tri fusha, si shëndetësia, arsimi dhe papunësia. “Me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës nuk merret shteti. Ne jemi dëshmitarë në 20 vjetët e fundit shteti merret me bisedimet me Serbinë, me problemet në veri, me liberalizimin e vizave, me përplasjet e opozitës me pozitën. Ndërsa problemet fundamentale me të cilat merren qytetarët janë shëndetësia, arsimi dhe punësimi. Do të duhej të ishin edhe prioritete të ndryshme”, ka shpjeguar ai.
Shala: Po hapen tregje për punëtorë
Ndërkohë për të njëjtën çështje ka folur edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala.
Shala i ka thënë gazetës “Zëri” se ekziston rreziku që numri i punëtorëve kosovarë të zvogëlohet në bazë të kërkesave të vendeve perëndimore. “Hapja e tregjeve perëndimore për punëtorët shqiptarë po ua mundëson punëtorëve shqiptarë të shkojnë përmes aplikimit për viza. Atje kanë mundësi shumë më të mëdha për të fituar dhe kjo po ndikon në largimin e punëtorëve nga Kosova. Ekziston rreziku që me shikimin e nevojave të tregjeve evropiane punëtorët e rinj të kualifikuar numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, sidomos në fushën e shëndetësisë është një kuadër shumë i kërkuar në Gjermani. Dhe ata shumë lehtë po gjejnë punë atje”, ka thënë Shala.
Shkalla e papunësisë te të rinjtë, 55%
Në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Anketën e Fuqisë Punëtore të tremujorit të dytë të këtij viti shkalla e papunësisë te të rinjtë thuhet të jetë 55 për qind. “Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 55 për qind. Papunësia afatgjate e të rinjve, grupmosha 15-19 vjeç, që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj për këtë tremujor është 38,2 për qind. Përqindja e të rinjve që nuk janë të punësuar, as në shkollim, as në trajnim është 30,2 për qind. Duke u bazuar në tremujorin e dytë të vitit 2018, 28,4 për qind e të papunëve në Kosovë ishin të rinj, grupmosha 15-24 vjeç, me 16,1 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave”, bëhet e qartë në raport.






