Kanë nisur punimet për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza në Podujevë, projekt ky i arritur me ndihmën e një kredie nga Austria, njofton Llapi.info.

Për të parë nga afër fillimin e punimeve ishin edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe me drejtori i kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger.

Në një postim në Facebook, Veliu ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit, teksa vlera e tij arrin në 5.3 milionë euro.

“Sot bashkë me drejtorin e kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger, solemnisht filluam punimet për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza. Ky është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm për mbrojtjen e ambientit që po realizohet në komunën e Podujevës. Vlera e tij ështê 5.3 milionë euro”, ka shkruar Veliu.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro nga Unicredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.

Marrëveshja është nënshkruar në shtator të vitit 2018 nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe drejtoresha për eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder./Llapi.info