Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Salzburg-Munchen.
Në aksident është i përfshirë edhe një autobus nga Kosova ku është përplasur me një kamion.
Nga Dubova Reisen kanë folur shkurtimisht për Periskopin, të cilët thanë që udhëtarët janë në gjendje të mirë, përveç tre prej tyre që kanë pësuar lëndime të lehta.
Tutja ata thanë që gjatë ditës do të dalin me sqarime të reja sa i përket këtij aksidenti.
“Të gjithë janë mirë, përvec tre që kanë lëndime të lehta. Do të dalim me detaje”, thanë nga Dubova Reisen për Periskopin.
Ndryshe, Rosenheim 24 raportoi se autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Mynihut për rreth dy orë.
Kamioni, i drejtuar nga një polak 46-vjeçar, që po barte perime po udhëtonte drejt Mynihut gjithashtu.
“Autobusi, që transportonte pasagjerë nga Kosova, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios pavarësisht manovrave të shmangies. Pjesa e përparme e autobusit u ngjit në kamion dhe pësoi dëme të mëdha. Rimorkioja u dëmtua gjithashtu rëndë”, raportoi media gjermane.






