Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, iu ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa dhe të parandalojnë përfshirjen e fëmijëve në punë të rënda.

Në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, iu ka bërë thirrje institucioneve relevante të marrin masa për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

Sipas KOMF, fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind, ndërkohë që 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.

“Ndërkaq, vetëm gjatë 4, 5, 6 dhe 11 qershor 2018, në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit janë vëzhguar dhe numëruar 153 fëmijë në situatë rruge. Këta fëmijë ishin duke kryer punë të rënda sikurse kërkim lëmoshë, riciklim dhe shitje të gjësendeve”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

KOMF: JO punës së rëndë të fëmijëve, fëmijët ta jetojnë fëmijërinë

Me rastin e Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, u bën thirrje institucioneve relevante të marrin masa për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten edhe përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind, ndërkohë që 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.

Ndërkaq, vetëm gjatë 4, 5, 6 dhe 11 qershor 2018, në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit janë vëzhguar dhe numëruar 153 fëmijë në situatë rruge. Këta fëmijë ishin duke kryer punë të rënda sikurse kërkim lëmoshë, riciklim dhe shitje të gjësendeve. Vëzhgimi dhe intervistimi është realizuar nga staf i trajnuar nga Terre des hommes në bashkëpunim me punëtor social. Përpara punës në terren, institucionet relevante janë njoftuar zyrtarisht dhe ftuar për të marrë pjesë në punën në rrugë.

Të dhënat statistikore tregojnë se Kosova si shtet nuk po e trajton çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmerr asnjë iniciativë rreth planifikimit të buxhetit dhe shërbimeve për të mbrojtur fëmijët.

Aktualisht, nuk ka shërbime të veçanta që komunat duhet të ofrojnë për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda ; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit (përfshirë mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre).

KOMF ju bënë thirrje komunave të Kosovës, të sigurojnë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale në mënyrë që t’i mundësohet zyrtarëve komunal të ofrojnë shërbime cilësore për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda. Gjithashtu, rekomandohet që komunat të themelojnë ekipet mobile për identifikim dhe trajtim si dhe qendrat ditore për fëmijët e përfshirë në punë të rënda, për të mundësuar trajtimin, mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e fëmijëve në situatë rruge të shfrytëzuar për punë të rënda.

KOMF gjithashtu bën thirrje për ngritje të vetëdijes së shoqërisë lidhur me parandalimin e formave rënda të fëmijëve.