Nën organizmin e përbashkët të Komunës së Podujevës dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së në Podujevë, sot u shënua 20-vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës.
Në akademinë e organizuar për nder të Betejës së Tabeve të Llapashticës, ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve, ish luftëtarë të UÇK-së dhe qytetarë.
Në një fjalim rasti, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, tha se në betejën e 24 dhjetorit të vitit 1998 iu dha një goditje të madhe armikut.
“24 dhjetori festohet si ditë e ringjalljes. Për ne 24 dhjetori është dita e ringjalljes së UÇK-së, e cila i dha një goditje armikut që do të mbahet mend jo vetëm për ne, por edhe për brezat që vijnë. UCK në këtë betejë tregoi se ishte e organizuar. Kjo dëshmoi që UÇK kishte kapacitete për çlirimin e vendit për të cilën gjë edhe sot duhet t’i gëzohemi kësaj lavdie”, tha Mustafa, transmeton Llapi.info.
Mustafa i premtoi Veliut se do ta ketë përkrahjen e të gjithëve që kufirit në Podujevë t’i kthehet zhvillimi dhe përparimi.
“Kryetar, kufiri 100 kilometrash që rrethohet me Komunën tonë, ju do ta keni përkrahjen e të gjithë neve që ta kthejmë në përparësi për zhvillim, për një jetë më të mirë, për ne e qytetarët tonë. Ky kufi për regjionin tonë në të kaluarën ka qenë sfidë dhe kësaj sfide më së miri kanë ditë me i qëndruar baballarët tonë dhe ne të gjithë bashkërisht. Këtë sfidë armiqësore që ishte ne kufi ne duam ta kthejmë në përparësi fqinjësore për ecje më të mirë, më të sigurt për rend, ligj e rregull. Jam i sigurt që llapjanët munden me dhënë prova edhe një herë edhe kësaj radhe se do të dalin faqebardhë dhe më mirë për të drejtën”, tha Mustafa.
Ndërsa, i pari i Podujevës, Agim Veliu, në këtë akademi përkujtimore u shpreh se në këtë betejë mbrohej populli i tërë.
“Kur po përkujtojmë 20-vjetorin e betejës së Tabeve të Llapashticës, kujtojmë njërën nga ngjarjes e rëndësishme në kalendarin e historisë tonë. Trimat e Llapit në 24 dhjetorin e viti 1998, në Tabet Llapashticës, nuk po mbronin vetëm Llapin, e as nuk po luftonin vetëm për Kosovën. Në njërën nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tabet e Llapshticës po mbrohej populli tërë dhe po i jepej një goditje të fortë armikut shekullor, në luftën për çlirimin e Kosovës. Pjesëmarrësit e kësaj beteje, jo vetëm që treguan rezistencën e trimëri të jashtëzakonshme, por edhe u bënë shembull i qëndresës dhe heroizmit në luftën çlirimtare”, shtoi Veliu.
“Beteja e Tabeve të Llapashticës ishte shembulli më i mirë se si luftohet kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe i pajisur me një makineri të sofistikuara ushtarake. Mirëpo, duke ndjekur shembullin e një nga komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe dëshmorëve të tjerë, luftëtarët, trimat e Llapit me heroizmat e treguar i hapën rrugën lirisë së vendit dhe i dhanë vulë luftës për çlirim”, ka thënë tutje Veliu.
Para kësaj akademie janë bërë homazhe në Kompleksin memorial të dëshmorëve në Penuhë, në lagjen e Kastratëve në Obrançë dhe te lapidari “Tabet e Llapashticës”./Llapi.info