Kolona të gjata janë bërë në hyrje të Prishtinës. Njerëzit po nguten që të hyjnë në Prishtinë para hyrjes në fuqi të masave të reja anti-Covid, shkruan Reporteri.net.
Qeveria sot e miratoi vendimin për masat e reja kundër coronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së sotme deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së coronavirusit.
Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.
Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.
Ai vjen pasi, ditëve të fundit, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve me coronavirus.
Të premten, nga testimi i 1,827 mostrave, pozitive kanë dalë 728.
Krahas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për masat e veçanta kundër coronavirusit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mori vendime të veçanta edhe për shtatë komuna të Kosovës – Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen – për ndalimin e hyrje/daljeve të qytetarëve dhe automjeteve private nga sot, ora 20:00, deri të hënën, ora 05:00.
Përjashtim nga ky vendim do të bëjnë: personeli shëndetësor dhe personeli i sigurisë; qytetarët për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe për shitje të mallrave esenciale; operatorët ekonomikë dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, si dhe kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike.
Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe paralajmërohet se edhe komunat e tjera që hyjnë në zonën e kuqe të infeksionit – që do të thotë se kanë numër më të lartë të rasteve me xoronavirus – do të përballen me masa të njëjta.