Mijëra vetura dhe pushues, kryesisht nga Kosova, por jo vetëm janë përballur me një situatë të rënduar trafiku në Shëngjin, ku prej më shumë se 3 deri në 4 orë janë “bllokuar” në kolona kilometrike.
Pushuesit raportojnë se trafiku është paralizuar pa asnjë lëvizje të dukshme, ndërsa temperaturat e larta dhe mungesa e organizimit kanë përkeqësuar situatën.
“Mijëra vetura dhe pushues janë ‘bllokuar’ tash e 3-4 orë”, tha një pushues nga Kosova, i cili tregoi për Gazetën Sinjali se ka qenë ora 16:15 kur e ka lënë pjesën e njohur si “Rana e Hedhun” në Shëngjin, dhe tash kur ora është gati 20:00, thotë s’i ka kaluar as “3 kilometra rrugë”.
Dalja masive nga plazhi në orët e pasdites ka shkaktuar trafik të rënduar që nga zona e Ranës së Hedhun e deri te kryqëzimi hyrës i Shëngjinit.
Rrjedhimisht, trafiku i rënduar vijon edhe përgjatë segmentit rrugor Shëngjin-Milot, duke krijuar vonesa dhe bllokime të herëpashershme për drejtuesit e mjeteve.