Një delegacion i udhëhequr nga Basri Sejdiu, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka qëndruar për vizitë pune në Koç University Hospital në Turqi.

Qëllimi i vizitës ishte mundësia e trajnimit të mjekëve dhe stafit tjetër shëndetësor për përdorim të metodave të avancuara diagnostike dhe kirurgjike (minimale invazive).

Në takimet që ka pasur me drejtuesit e këtij institucioni, drejtori Sejdiu, ka kërkuar përkrahje për trajnime të stafit.

“Kemi kërkuar që të na mundësohet trajnimi i 30 deri 40 mjekëve tanë në këtë institucion, sidomos në Oftalmologji në fushën e kirurgjisë retroveterinale, në Ortopedi, punën me artroskop, në Kardiokirurgji, në Neurorkirurgji, pasi si pamë këtu ndërhyrjet bëhen me metoda minimale invazive, përderisa tek ne në neurokirurgji bëhen ende operacione të hapura, pra të ndihmohet në përdorim të metodave minimale diagnostike dhe kirurgjike”, u shpreh ai.

Sipas drejtorit Sejdiu, pas diskutimeve konstruktive që kanë pasur, ky institucion ka mundësuar trajnime falas për 20 deri në 30 mjekë, sidomos në fushat që janë deficitare në QKUK.

Dr. Ozugur Deniz Tezcan, nga Koç Hospital University, tha se nga takimi që kanë pasur me drejtorin e SHSKUK, atyre u është kërkuar ta mundësojnë trjanimin e mjekëve nga Kosova.

“Ne jemi të gatshëm të presim mjekët në trajnime në 3 grupe, me nga 20 deri 30 mjekë që do të mësojnë metodat më të avancuara në mjekësi dhe përdorimin e aparaturave të fundit mjekësore”, tha dr. Tezcan.

SHSKUK pritet që së shpejti të dorëzoj listën e mjekëve që do të shkojnë për trajnim në Koç University Hospital në Turqi.