Koalicioni për Drejtësi Sociale ka reaguar në lidhje me vdekjen e punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Ky Koalicion i cili vepron që nga viti 2015, ka bërë një kërkesë drejtuar parisë së shtetit, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryeparlamentarit Kadri Veselit si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke specifikuar rastin e fundit të humbjes së jetës në vendin e tij të punës së Milazim Bajraktarit.
Sipas tyre nuk është punuar asgjë për të parandaluar vdekjen e punëtorëve në vendin e punës.
Për më shumë ja reagimi i plotë:
Reagim mbi vdekjen e Milazim Bajraktarit
I nderuar Kryeministër, Kryeparlamentar dhe Deputetë të Republikës së Kosovës,
Ne, të poshtëshënuarit po ua drejtojmë këtë letër proteste publike me rastin e vdekjes së 45 vjeçarit, Milazim Bajraktari, punëtor i ndërtimtarisë, i cili është viktima e dytë për dhjetë ditët e fundit, që humbi jetën në vendin e punës.
Është alarmante heshtja dhe mosveprimi institucional lidhur me këto raste tragjike si dhe pandëshkueshmëria e bizneseve të sektorit të ndërtimtarisë, që e bëjnë të duket sikur sektor mafioz.
Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, 98 qytetarë, mbajtës të familjeve, kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë. Nga këto vdekje, shumë fëmijë mbetën jetim, përderisa familjet duhet të vazhdojnë jetën në kushte tejet të rënda ekonomike, që janë pasojë e standardit të ulët të jetesës në vend, papunësisë së lartë dhe varfërisë së skajshme.
Koalicioni për Drejtësi Sociale i bën thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të Republikës së Kosovës që ta adresojnë me urgjencë fenomenin e vdekjeve të shpeshta në vendin e punës, duke i thirrur në përgjegjësi organet e mbikëqyrjes, implementimit dhe të ndjekjes penale, që të marrin masa ndaj të gjitha subjekteve që shkelin Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë, dhe mos të lejohet trajtimi i punëtorëve sikur të ishin skllevër.
Punëtorëve në Republikën e Kosovës duhet t’ju garantohet që vendi i tyre i punës nuk do të kthehet në vend të vdekjes.






