Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) e ka cilësuar si të panevojshëm përdorimin e forcës nga Policia gjatë arrestimit të një qytetari mbrëmë në sheshin e Prishtinës.
Në një komunikatë për media, KMLDNJ-ja ka thënë se konsideron se përdorimi i forcës është në shpërputhje të plotë me rrezikun real pasi qytatari nuk i ka rrezikuar as policët në detyrë e as sigurinë e të tjerëve.
“Nëse Policia e Kosovës më parë ka qenë më e kujdesshme në shqiptimin e masave ndëshkuese, tani është bërë shumë më e rreptë dhe ka shqiptuar dënime , në kundërshtim me logjikën duke dënuar shoferë të automjeteve kur kanë qenë duke vozitur vetëm apo me anëtarë të familjes së ngushtë. Këtë e kanë bërë në paqartësi të Ligjit. Policia e Kosovës ka shqiptuar dënime edhe nëse qytetarët nuk i kanë vendosur maskat si duhet”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ ka kërkuar nga qytetarët që t’u binden urdhërave të Policisë, sidomos tash gjatë pandemisë.
“Ky rast por edhe rastet tjera është edhe një argument shtesë për KMDLNj që bartja e maskave në mjedis të hapur nuk duhet të jetë e domosdoshme por se duhet t’i lihet vullnetit të qytetarëve dhe se për këtë arsye qytetarët nuk duhet të dënohen”, thuhet në fund të komunikatës.