Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut [KMDLNJ], përmes një reagimi dërguar mediave, ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli si dhe ka kërkuar shkarkimin e ministrave serbë të Qeverisë.
Veç kësaj kërkese, KMDLNJ kërkon edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës ku kryetarët serbë të të cilave dhanë dorëheqje pas vendosjes së masave doganore prej 100% ndaj mallrave serbe.
Po ashtu, në këtë reagim, KMDLNJ kërkon që masa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjës të mbetet në fuqi deri në një situatë tjetër. Gjithashtu, KMDLNj ka përkrahur kërkesën e kryeministrit Haradinaj për ulje të çmimeve të karburanteve, si dhe kërkon që Prokuroria e Shtetit të nis hetimet për dëmtim të buxhetit të qytetarit përmes fryrjes së këtyre çmimeve.
KMDLNJ kërkon hetim edhe ndaj KEDS–it shkaku se, siç thotë, faturat për muajin e fundit janë 200 – 400% më të larta se në muajin paraprak, në kohën kur ka pasur reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
“Ditë më parë, për shkak të përdorimit të gjuhës raciste dhe seksiste të ministrit për Punë të Jashtme, z. Behgjet Pacolli e që e përdori para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, si arsyetim të refuzimit të shteteve që votojnë për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL, si dhe për shkak të tërheqjes së njohjeve nga disa shtete, për shkak të degradimit të punës së kësaj ministrie dhe për shkak të prezantimit të padenjë të Kosovës në planin ndërkombëtar, KMDLNJ ka kërkuar shkarkimin e z. Pacolli nga kryeministri Haradinaj, si masë e vetme logjike dhe e domosdoshme. Për faktin se Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar me kohë dhe në përputhje me nevojat e kohës; KMDLNJ e ripërsërit këtë kërkesë shkaku se shkarkimi i një ministri që ka dështuar në të gjitha fushat e prezantimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore në planin ndërkombëtar , është e vetmja mënyrë e këndelljes së kësaj ministrie dhe rikthim i besueshmërisë për Kosovë shkaku i joprofesionalizmit, mosdijes dhe politizimit negativ të kësaj ministrie, sidomos në përzgjedhjen e stafit diplomatik”, thotë KMDLNJ.
KMDLNJ kërkon gjithashtu që të shkarkohet, jo vetëm ministri Nenad Rikalo por të gjithë ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës të cilët, sipas këtij Këshilli, ekskluzivisht për shkaqe politike dhe sipas kërkesës së Serbisë, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq, me muaj të tërë e bojkotojnë punën në Qeverinë e Kosovës në ndërkohë që i shpërdorojnë të gjitha të drejtat që nuk iu takojnë, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
“Kryeministri i Kosovës duhet t’i thërras në takim duke iu dhënë një afat të caktuar kohor (jo më shumë se një muaj) dhe, pas kësaj, nëse nuk iu kthehen detyrimeve për çka edhe marrin paga të majme, duhet t’i shkarkojë. Deri atëherë, kryeministri Haradinaj duhet, me një vendim të qeverisë t’ua pamundësojë këtyre ministrave të drejtën e disponimit të mjeteve nga buxheti i Kosovës; siç janë ndarja e granteve, subvencioneve apo çfarëdo forme të ndarjes së mjeteve, duhet t’ua pezullojë të drejtën e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare sikur edhe shfrytëzimin e të gjitha beneficioneve. Nëse edhe më tutje këta ministra që botërisht deklarohen se presidenti i tyre është Vuçiqi e jo Thaçi, vazhdojnë të shfrytëzojnë mjete në çfarëdo forme nga buxheti i Kosovës për mospunën apo sabotimin e punës në Qeveri, atëherë edhe Qeveria do të ketë përgjegjësi konkrete për këtë”, thotë më tej Këshilli.
Tutje, KMDLNJ kërkon që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bazë të përgjegjësive që ia njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat në veri të Kosovës, kryetarët e të cilëve, gjithashtu, sipas Këshillit, për motive politike kanë dhënë dorëheqje.
Dorëheqjen e këtyre kryetarëve, KMDLNJ e konsideron të ligjshme dhe të parevokueshme prandaj çdo përpjekje për të mos shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme për këto komuna nga ana e presidentit të Kosovës e konsideron si shkelje të Kushtetutës së Kosovës për të cilën duhet të ketë përgjegjësi ligjore.
“Për shkak të vazhdimit të politikës rrënuese dhe armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës (letra të dërguara Shqipërisë dhe Maqedonisë për çnjohje), KMDLNJ kërkon që masa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të mbetet në fuqi si dhe të shqyrtohen masa të tjera e që do të siguronin zbatimin e reciprocitetit 100% ndaj këtyre dy shteteve, deri në një situatë tjetër”, thekson më tej KMDLNJ.
Në ndërkohë, KMDLNJ ka përkrahur kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ulje të çmimeve të karburanteve si dhe kërkon që Prokuroria e Shtetit të nis hetimet për dëmtim të buxhetit të qytetarit përmes fryrjes së këtyre çmimeve.
Për fund, KMDLNJ kërkon hetim ndaj KEDS–it shkaku se faturat për muajin e fundit janë 200 – 400% më të larta se në muajin paraprak, në kohën kur ka pasur reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
“Është bërë si rregull nga KEDS që faturat e muajit dhjetor, në çdo vit, të fryhen në masë të së padurueshmes dhe për këtë askush nuk merret në përgjegjësi ndërsa e pëson qytetari – konsumatori që ende nuk është kompensuar për plaçkitjen thuaja 15 vjeçare nga ana e operatorëve për energji elektrike duke ua ngarkuar kundërligjshëm në fatura edhe shpenzimet e serbëve që nuk e kanë paguar dhe ende nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar elektrike”, ka përfunduar KMDLNJ.