KMDLNJ konsideron se shtyrja për një muaj e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia inkurajon strukturat paralele në veri që të testojnë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjit dhe reciprocitetin.

Në një komunikatë për media thuhet se çdo zmbrapsje nga ky vendim vetëm sa e dëmton Kosovën duke krijuar kushte për rritje të kërkesave të Serbisë ndaj Kosovës.

“Serbët në veri të Kosovës, por edhe në vendet tjera në brendi të Kosovës me asgjë nuk janë të diskriminuar, andaj duhet të sillen si të gjithë qytetarët e Kosovës, me të drejtat dhe përgjegjësitë që iu takojnë. Kjo çka po ndodh në veri të Kosovës nuk paraqesin mosrespektim të dokumenteve kombëtare (Kushtetutës së Kosovës) dhe atyre ndërkombëtare, Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara e të Drejtave të Njeriut e as me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga ana e Kosovës, por shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e veriut përmes kufizimit të lirisë së lëvizjes nga barrikadat dhe rrugët e bllokuara sikur edhe përdorimi i dhunës fizike ndaj qytetarëve e, që, për qëllim të fundit e ka përzënien e një numri të vogël të shqiptarëve dhe jo serbëve që jetojnë atje, përmes spastrimit etnik dhe kolonizimit”, thekson KMDLNJ.

Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së, Jeff Hovenier, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori vendim ta shtyjë për 30 ditë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.