Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka dalë me një strategji të re të testimit për COVID-19.

Kjo strategji, e përpiluar nga MSH-ja, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe me Komitetin për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse të MSH-së, është përcjellë te të gjitha komunat e vendit.

E njëjta thuhet të jetë hartuar duke u bazuar në rekomandimet e OBSH-së për strategjinë e testimit laboratorik dhe ritestimit, si dhe në strategjinë e testimit të ECDC-së, e cila thuhet se ka rekomanduar përditësimin e strategjisë së testimit dhe ritestimit për SARS-CoV-2.

Sipas kësaj strategjie, që e ka siguruar “Zëri”, një nga rekomandimet e IKSHPK-së është që nga tani të testohen vetëm pacientët e hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe ata që kanë simptoma të theksuara të koronavirusit, pasi me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në dy javët e fundit, si dhe me largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

Sipas strategjisë së re, testimi laboratorik për COVID-19 duhet të bëhet sipas disa kritereve.

“Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërën këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymëzënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusisë (shijes) ose imazherit radiologjik, që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19 dhe duke pasur parasysh historinë e udhëtimit ose vendbanimi në një vend/zonë ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave”, janë disa nga kriteret që duhen plotësuar që pacientët të testohen tash e tutje, sipas dokumentit.

Po ashtu, sipas kësaj strategjie, personat të cilët izolohen pas testit pozitiv mund të lirohen pas 10 ditëve pa pasur nevojë për ritestim.

Gjithashtu, sipas kësaj strategjie, pacientët e hospitalizuar në Klinikën Infektive lëshohen nga spitali sipas kritereve klinike-imazherike dhe jo me dy teste të njëpasnjëshme negative brenda 24 orëve, siç ka ndodhur deri më tani.

Dokumenti i plotë që MSH-ja e ka përcjellë nëpër komuna.