Lokale - eSIMy

Mbrëmjen e së martës, dy vajza u goditën nga një veturë në qendër të Prishtinës. Qytetarët kalimtarë ndihmuan ato derisa erdhi edhe ndihma e autoambulancës.

Ato u dërguan në QKUK, teksa gjatë së mërkurës njëra u lirua e tjetra u përcoll në Klinikën e Ortopedisë.

Drejtori i Klinikës, Sami Delijaj ka dhënë më shumë detaje për pacienten e cila po trajtohet aty.

“Njëra nga to është liruar për trajtim shtëpiak, ndërsa si pasojë e lëndimeve të marra, në aksidentin në komunikacion, pacientja Elvira Luzha e vitit 2002, ka pas indikacion për trajtim spitalor në Klinikën e Ortopedisë, për momentin është në gjendje stabile, te gjitha parametrat fiziologjik dhe parametrat janë në rregull”, tha Delijaj.

Ndërkohë Policia e Kosovës njoftoi se vozitësi që aksidentoi dy vajzat, është paraqitur të mërkurën në stacionin e policisë.

“Më datë 29.06.2022, vozitësi i dyshuar, A. G, 23 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, është paraqitur në njësinë rajonale të komunikacionit rrugor, dhe pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rastet kur këmbësorët po goditen nga veturat kohëve të fundit janë shpeshtuar, teksa Policia vazhdimisht po bën thirrje për respektim të rregullave në trafik.