Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi javën e kaluar suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën.

Sot njëri nga ta dyshohet se ka mbetur i vdekur në një përballje me Policinë, gjatë një operacion policor për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e armatosur të argjendarisë në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se grabitësi i dyshuar që mbeti i vrarë është, Dukagjin Gashi. Tashmë kanë dalë edhe fotografitë e tij.

Gjatë aksionit në lagjen Arbëria në Prishtinë, ka mbetur i plagosur edhe një zyrtar policor. I njëjti tash është jashtë rrezikut për jetën.

“Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë pas aksionit të sotëm.