Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, kishte paralajmëruar se “Prishtina po përgatit veprime të njëanshme në veri”.

Dhe lidhur me këtë pretendim të tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, është deklaruar një zëdhënës i misionit ushtarak në Kosovë, Vinçenco Grasso.

Siç ka thënë ai, KFOR kurrë nuk ka marrë ndonjë informacion të tillë.

“Ne nuk komentojmë spekulime apo informacione të pabazuara”, ka thënë Grasso për mediat serbe.

“Ne jemi dakord me delegatët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilët gjatë sesionit të fundit vazhdimisht i bënë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga retorika, deklaratat dhe veprimet nxitëse që mund të rrezikojnë dialogun dhe pajtimin”, citohet të ketë thënë tutje Grasso.