Përmes publikimit të një videoje, prodhuesi i njohur i veturave Porsche paraqiti pesë veturat më të vlefshme nga historia e tij këtë herë.

Në vendin e pestë në listën e Porsches më të shtrenjtë të të gjitha kohërave është modeli Spyder 917/30 nga viti 1973, i cili është me kapacitet prej 1,200 kuajfuqi, dhe një model i tillë është shitur për 3 milionë dollarë.

Pozicioni i katërt mbahet nga modeli legjendar i prodhuesit nga Stuttgartit, Spyder 550A nga viti 1956. Ishte Porsche i parë që ishte projektuar posaçërisht për gara, transmeton ksp. Çmimi i këtij modeli në treg ka arritur një shumë prej 5 milionë e 170 mijë dollarë.

Në vendin e tretë është Porsche 911 GT1 nga viti 1997 me kapacitet prej 600 kuajfuqi. Vetëm 20 modele të tilla u homologuan për ngasje në rrugë publike, nga të cilat njëri në ankand arriti çmimin prej 5 milionë e 665 mijë dollarë.

Në pozitën numër dy renditet një tjetër model për gara – Porsche 956 nga viti 1983, i njohur për mbajtjen e rekordeve në pistën e famshme të Nurburgringut për 35 vjet (6:11), derisa nuk e theu rekordin këtë vit modeli Porsche 919 Hybrid Evo (5:19,55). Ai ka motor Turbo me 6 cilindra e mbi 600 kuajfuqi dhe një model i tillë shitet për 10 milionë e 120 mijë dollarë.

Në vendin e parë, si Porsche më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, është një 917K, i njohur nga filmi “Le Mans” me aktorin e famshëm Steve McQueen në rolin kryesor.