Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vrasjen e Marigona Osmanit.
Si rezultat, dënimi me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaçën dhe dënimi 15 vjetësh i Arbër Sejdiut, janë anuluar, për t’u shqyrtuar sërish në Gjykatën e Ferizajt.
Për këtë vendim, Gjykata e Apelit ka dhënë disa arsye të cilat do t’i gjeni në këtë artikull.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i shkruar në mënyrë të paqartë, dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore. “Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi I dhe II i aktgjykimit të ankimuar është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të cilët formojnë elementet e veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtor”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Apelit. Pra, për ta thjeshtëzuar, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjyqtarët e shkallës së parë e kanë përpiluar aktgjykimin në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gjykata e Apelit në vendimin e saj i ka dhënë rëndësi një ekspertize, e cila sipas tyre, do të dëshmonte që vrasja e Marigona Osmanit është kryer në mënyrë dinake dhe ka qenë mizore, e jo për motive të xhelozisë. “Dispozita ligjore nga nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 i KPRK, për të akuzuarin e parë i referohet privimit nga jeta të personit tjetër në mënyrë mizore apo dinake dhe jo për motive xhelozie, ndërsa përkitazi me pikën 1.4 të nenit 173 të KPRK, kolegji gjykues i shkallës së dytë ka theksuar se një rrethanë e tillë duhet të vërtetohet nga ekspertet e fushës përkatëse, e që në rastin konkret nuk është bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në aktgjykim.
Pika e tretë e rëndësishme ndërlidhet me të dënuarin tjetër, Arbër Sejdiun. Sipas vendimit, Gjykata nuk i ka përshkruar veprimet e sakta të Sejdiut, dhe nuk e ka bërë lidhjen me veprën penale për të cilën është dënuar që ishte “Ndihmë në vrasje”. “Sa i përket të akuzuarit të dytë A.S, gjykata e apelit ka vlerësuar se, në raport me veprën penale nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor”, thuhet në vendim.
Mbi këtë bazë, Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Ferizajt.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923 të datës 04.08.2023, ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim. Në pikën II të dispozitivit të aktvendimit, kjo gjykatë pretendimet ankimore të prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat e tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës se dëmtuar, i ka konsideruar tani për tani si jo lëndore, ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktvendimit, ka konstatuar se të akuzuarit, D.K dhe A.S, të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftim.
Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, kurse Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet për dhënien e ndihmës.
Të dy ishin liruar nga vepra penale e dhunimit.