Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka reaguar në lidhje me ankesat që ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin ka bërë për moslejimin e hyrjes së tij në Kosovë.
Selimi ka bërë të ditur përmes twitter se ishte vet ai që e kishte nënshkruar ndalesën për zyrtarët serbë të Ministrive të Mbrojtjes, sa ishte ministër i Punëve të Jashtme, njofton Klan Kosova.
”Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin që njihet për gjuhën fyese dhe raciste kur iu drejtohet shqiptarëve është duke u ankuar që ai nuk po lejohet të hyjë në Kosovë. Të gjithë ministrat serbë të Mbrojtjes dhe të Brendshëm e kanë të ndaluar hyrjen në Kosovë. E di këtë, sepse unë e kam nënshkruar ndalesën”.
Selimi po ashtu ka publikuar një dokument nga koha kur ishte Ministër i Punëve të Jashtme kur ka nënshkruar një vendim në vitin 2016, që iu ndalon hyrjen në Republikën e Kosovës bartësve të funksioneve të ministrave/eve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë përderisa nuk pranojnë ftesë zyrtare dhe individuale nga homologët e tyre në Republikën e Kosovës.






