Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shënuar rezultatin më të dobët në histori në zgjedhjet e së dielës në Podujevë, raporton Llapi.info.
Kandidatja për kryetare nga kjo parti, Floretë Zejnullahu, ka arritur t’i marrë vetëm rreth 2 mijë e 500 vota. Për dallim nga kjo, PDK ka arritur të marrë më shumë për asamble komunale, duke grumbulluar rreth 3 mijë e 500 vota, e cila ia siguron tre apo eventualisht katër këshilltarë komunalë.
Siç ka mësuar jozyrtarisht Llapi.info, Bashkim Syla është kandidati më i votuar nga kjo parti, i cili me shumë gjasë do të jetë edhe për një mandat këshilltar komunal nga kjo parti.
Përveç Sylës, edhe Ilmi Hoxha ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë asamblist. Ndërkaq, nga femrat më të votuara janë Endritë Murati dhe Mimoza Stublla.
Sipas rezultateve të KQZ-së, Ekremi Hyseni i LDK-së prin me 16.451 vota, 113 vota më shumë se Shpejtim Bulliqi i VV-së, i cili ka 16.338 sosh. Në vendin e tretë, sipas rezultateve të KQZ-së, është radhitur Floretë Zejnullahu e PDK-së me 2.422, e pasuar nga Besnik Tahiri me 1.479 vota./Llapi.info






