Një rast i rëndë i ka alarmuar banorët e rrugës “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, ku rreth orës 00:30 të datës 26 qershor, janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme pranë Hotel Bavaria.
Siç raportoi Sinjali, në vendin e ngjarjes dolën njësitet relevante të Policisë, përfshirë hetuesit dhe forenzikën nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar 8 gëzhoja të armës së shkurtër, të shpërndara në rrugë dhe trotuar.
Lidhur me rastin, Gazeta Sinjali ka siguruar detajet ekskluzive, ku burimet brenda Policisë bëjnë me dije se dy persona janë identifikuar dhe arrestuar si të dyshuar për këtë rast.
Bëhet fjalë për dy vëllezër: Bajram Krasniqi dhe Shemsi Krasniqi, të cilët dyshohen për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar 8 gëzhoja të një arme të shkurtër, të shpërndara në rrugë dhe në trotuar, si dhe kanë lokalizuar kamerat e sigurisë për të identifikuar përgjegjësit. Pas grumbullimit të provave dhe veprimeve hetimore, të dy të dyshuarit janë vënë në pranga.
Sipas urdhrit të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dyshuarit ndodhen në ndalim policor dhe rasti do të procedohet në mënyrë të shpejtë.