Largimi i Arbnor Morinës nga Gjilani ka bërë që të rritet numri i trajnerëve që nuk kanë arritur të mbyllin sezonin me një skuadër.

Në fakt të tillë kanë mbetur tashmë vetëm dy. Fjala është për teknikun e Llapit, Tahir Batatina, i cili me sukses do ta mbyll edhe sezonin e katërt në krye të llapjanëve, ndërkohë të tretin që nga rikthimi në Superligë, shkruan Gazetasheshi.

Një tjetër trajner që po vazhdon të ruajë karrigen e tij nga fillimi i kampionatit është edhe Bledi Shkëmbi. Korçari i cili erdhi në fillim të sezonit te Liria e Prizrenit i shpëtoi shumë “fortunave” dhe me shumë mundësi do ta mbyll vitin si i pari i stolit të bardh & zinjëve.

Si për ironi të fatit këta dy trajnerë do përballen mes vete në fundjavë në kuadër të javës së 27-të të Vala Superligës. Të shtunën me fillim nga ora 15:00 ekipi i Lirisë e pret në “Përparim Thaçi” atë të Llapit.