Faton Blakqori dhe Nexhmi Zeqiri, të dy qytetarë të Komunës së Podujevës, e që jetojnë jashtë vendit, kanë dhuruar 20 mijë euro për forcimin e ushtrisë së Kosovës, shkruan Llapi.info.

Blakqori dhe Zeqiri ishin të parët që ofruan mbështetjen e tyre, ende pa u publikuar xhirollogaria e fondit të Sigurisë. Me t’u bërë një gjë e tillë nga institucionet e Qeverisë së Kosovës, Zeqiri dhe Blakqori çuan nga 10 mijë euro në këtë fond.

Llapi.info ka arritur t’i sigurojë faturat e të dyve që dëshmojnë dhurimin e parave për Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është hapur llogaria zyrtare bankare për Fondin e Sigurisë. Përmes këtij Fondi do të mundësohet pranimi i donacioneve të bashkatdhetarëve dhe qytetarëve tjerë të interesuar për të kontribuar.

Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se është themeluar Fondi për sigurinë e vendit. Sipas Kurtiti, Fondi është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, ka thënë Kurti.

Në buxhetin e vitit 2022, Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë 97 milionë e 217 mijë e 42 euro buxhet./Llapi.info