Një aksion i gjerë i njësive antidrogë është zhvilluar sot nga Policia e Kosovës në tri lokacione të ndryshme, me qëllim goditjen e trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.
Dy personat e arrestuar nga ky aksion janë Lorik Tigani dhe Onur Vizdik. Të dy emrat janë të njohur për organet e drejtësisë. Onur Vizdik është biznesmen i njohur nga Turqia
Vizdik dhe Tigani janë aksionarë në kompaninë Tada Group SH.P.K., kompani që merret me restorante dhe ushqim, shkruan Gazeta Insajderi.
Dyshohet se ata kanë qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal, i cili ka qenë nën vëzhgim prej kohësh nga njësitë e antidrogës.
Arrestimi është kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë bastisjeve në disa lokacione në kryeqytet. Megjithatë, burimet konfirmojnë se gjatë kontrolleve në banesat e tyre nuk është gjetur ndonjë provë e dyshimtë apo substancë narkotike.
Tigani dhe Vizdik ishin arrestuar edhe në vitin 2022, pasi ishin kapur me drogë në Han të Elezit. Ata ishin ndër shtatë personat e ndaluar në atë rast, ku u sekuestruan rreth 83 kilogramë lëndë narkotike.
Ndaj tyre ishte ngritur aktakuzë në prill të vitit 2024, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ndryshe, dyshja janë aksionarë në kompaninë Tada Group SH.P.K., e cila operon në fushën e gastronomisë dhe shërbimeve ushqimore.