Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe përfaqësuesi i “Qatar Charity”, Esam Dabab sot, kanë nënshkruar tri memorandume të bashkëpunimit për projekte në fushën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, njofton Llapi.info.
Përmes, memorandumit të parë parashihet bashkë-investim i komunës së Podujevës dhe Organizatës “Qatar Charity”, për ndërtimin e Qendrës së Urgjencës në Podujevë, projekt i cili ka vlerë rreth 1.2 milion euro.
Në fushën e shëndetësisë është nënshkruar edhe memorandumi që mundëson ndërtimin e Qendrës së Mjeksisë Familjare në Gllamnik, vlera e projektit rreth 225 mijë euro.
Në këtë takim marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar edhe në fushën e mirëqenies sociale, përmes të cilës, Organizata “Qatar Charity” në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) do të shpërndajë 200 pako me artikuj ushqimorë, jorgan dhe batanije për familjet me kushte të rënda ekonomike.
Me këtë rast, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shprehur i bindur në realizimin e premtimeve të dhëna për mandatin e plotë.
“Falënderoj organizatën “Qatar Charity”, për investimet dhe ndihmën e vazhdueshme që po i jep komunës së Podujevës, ndërsa shpreh gatishmërinë tonë të plotë për angazhim në përmbushjen e të gjitha zotimeve që kemi marrë në kuadër të marrëveshjeve që kemi nënshkruar sot”, tha Bulliqi./Llapi.info.
Më poshtë pamjet se si do të duket QKMF-ja në Gllamnik:










