Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka vendosur në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues që të shtyhet organizimi i protestës kundër Gjykatës Speciale.

Faton Klinaku, sekretari i OVL së UÇK-së, ka thënë sot në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së organizatës, se protesta – atëherë kur do të organizohet – do të jetë e kanalizuar dhe në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Është marrë vendim në mbledhjen e Këshillit Drejtues që të shtyhet protesta. Jemi të revoltuar shumë me aksionet e Gjykatës Speciale së bashku me zyrtarët e EULEX-it”, ka thënë Klinaku.

Një qëndrim tjetër i nxjerr nga mbledhja e Kryesisë së OVL së UÇK-së ka të bëjë me pezullimin e dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë të ditur Klinaku.

Sipas tij, ekziston frika që të arrihen kompromise të dëmshme në procesin e dialogut në kohën kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në Hagë.

“Kërkojmë që të pezullohen bisedimet Kosovë-Serbi, sepse në këtë kohë mund të bëhen kompromise të dëmshme”, ka thënë sekretari i OVL-së së UÇK-së.

Nga Dhomat e Specializuara në Hagë, deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, për të cilat aktakuza është njoftuar publiku. Aktakuzë është ngritur kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Të enjten, më 5 nëntor, u bë e ditur se është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, të mërkurën, (më 4 nëntor) u njoftua se është konfirmuar aktakuza ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, aktakuza u bë publike më 5 nëntor, ku Dhomat e Specializuara thanë se ajo është konfirmuar më 26 tetor.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.