Drejtoria e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve në Podujevë kanë kërkuar sërish që nxënësit të kthehen në shkolla qysh nesër në këtë komunë, raporton Llapi.info.
Në komunikatën e lëshuar së bashku nga DKA dhe këshilli i prindërve është bërë thirrje tek prindërit që nesër t’i çojnë në shkolla fëmijët e tyre.
“Komunikatë e përbashkët e Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Këshillit të Prindërve të Podujevës rreth grevës. Pas takimit të zhvilluar të DKA-së dhe Këshillit të Prindërve duke e vlerësuar se greva e përgjithshme e shpallur nga SBASHK-u në nivel vendi më të dëmtuarit janë nxënësit nga kjo formë e shprehjes së pakënaqësisë dhe kërkesave të Sindikatës së Arsimit. Andaj karshi përgjegjësisë që na takon si DKA dhe Këshill i Prindërve nuk mund të rrimë duarkryq karshi kësaj situate, ne kërkojmë nga ana e prindërve në Komunën e Podujevës, që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke e parë edhe vullnetin e një numri të madh të mësimdhënësve t’i kthehen procesit mësimor. Urojmë që prezenca e nxënësve në shkolla nga nesër të gjej edhe mirëkuptimin e mësimdhënësve të tjerë dhe të fillojë procesi mësimor”, thuhet në komunikatë./Llapi.info