Ka një muaj që autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë po qëndrojnë në parkingun e ndërmarrjes.
E, pas ndërprerjes së qarkullimit për shkak të koronavirusit, komuna po kërkon që ata të rikthehen në qarkullim para 18 majit, raporton KOHA.
Kjo datë është vendosur nga ministria e Shëndetësisë si mundësi për rikthimin e transportit publik, nëse nuk ka shtim të rasteve me COVID-19.
Komuna planifikon të nisin punën vetëm linjat kryesore dhe në secilin autobus të mos ketë më shumë se 25 udhëtarë.
Ndërsa, disa qytetarë thonë se ka ardhur koha që autobusët gradualisht t’i kthehen itinerarit të rregullt.
Gjatë kohës sa nuk kanë qarkulluar, 51 autobusët e Trafikut Urban u janë nënshtruar riparimeve të ndryshme. Në këtë ndërmarrje thonë se ata janë gati që të rikthehen në qarkullim kurdo që për këtë vendosin institucionet.
Në mesin e ndërmarrjeve të prekura nga masat kundër pandemisë, e që janë subvencionuar nga komuna, është edhe “Trafiku Urban”.