Lokale - eSIMy

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, thotë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pensioni i veteranëve të jetë 500 euro.

“Sa i përket benificioneve të veteranëve, ligji e thotë qartë se ato nuk mund të jenë nën pagën minimale pavarësisht implikimeve buxhetore. Ndërsa për invalidët dhe familjet e dëshmorëve, benificioni i këtyre kategorive është 220% mbi pagën minimale”.

Jashari thotë se veteranët nuk kanë frikë nga procesi i verifikimit.

“Sa i përket listës së veteranëve, askush nuk është duke iu frikësuar verifikimit. Mendoj se qasje e Kurtit është e gabuar. Ai po mundohet t’i zhvendos premtimet që ka dhënë, duke u marrë me një kategori pa të cilën ata nuk do të ishin ulur në karriget ku janë sot”.

Ai thotë se veteranët duhet të përfitojnë benificione në vlerë 500 euro për të bërë jetë të dinjitetshme.

“Ne kemi kërkuar të ngrihen benificionet për kategoritë e lirisë, në theks të veçantë për veteranët pasi benificioni prej 170 euro nuk mund të quhet as asistencë sociale. Unë në veçanti kam kërkuar që benificioni për veteranin e UÇK-së të jetë në vlerë prej 500 euro në mënyrë që të bëjnë një jetë të dinjitetshme ashtu siç ishte e dinjitetshme edhe lufta e UÇK-së”.