Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H. dhe Q.H. me datën 22.04.2019 rreth orës 16.55, sipas marrëveshjes gojore mes vete dhe pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar ti kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit ‘Adriatik’, të cilën pronë i pandehuri A.H. e ka marrë me qera dhe në cilësinë e punë dhënësit, ndërsa i pandehuri Q.H në cilësinë e pune kryesit.
Në kohën kur punëtorët – dëshmitarët A.M, M.M. dhe S.H. po pastronin objektin në katin e parë, viktima V.I. kishte hipur në skelë dhe po priste shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete.
Dy të dyshuarit janë arrestuar ditën e hënë me datën 22 prill dhe me urdhër të prokurorit për momentin gjenden në ndalim 48 orësh.
Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.