Më 26 tetor Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedh Qeverinë e re të Kosovës. Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti prezantoi kabinetin qeveritar, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë e re.
Mungesa e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, po rrezikon që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026, sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mund të çojë në pezullim të pagesave publike dhe të investimeve kapitale.
Pas dështimit për votimin e Qeverisë së re të dielën, tani përgjegjësia ka kaluar tek Presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet t’i ftojë partitë politike për konsultime. Në konsultat që do t’i ketë, Osmani do të të theksojë edhe rëndësinë e miratimit të buxhetit dhe Planit të Rritjes.
Kështu ka thënë të martën për gazetën online Reporteri.net këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kupina.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë të hënën ka komentuar çështjen e projektbuxhetit 2026, i cili tha se Ligji për Qeverinë i mundëson këtij ekzekutivi në detyrë të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës, ani se sipas tij, nuk do të thotë se puna mbaron aty.
Kurti tha se vendi nuk mund të ecë përpara pa këtë ligj.
Megjithatë, ai tha se rrethanat djeshme në seancën e jashtëzakonshme, ka të panjohura për rrugën përpara sa i përket buxhetit.
“Një vend pa buxhet, është një vend i cili nuk mund të ecë përpara. Ne kemi të drejtë që ta propozojmë buxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës në bazë të ligjit për Qeverinë, mirëpo në të njëjtën kohë do të na duhet të bëjmë shumë konsultime me juristët në mënyrë që të shohim se si është rruga përpara, meqenëse fakti që Qeveria miraton një propozim buxhet për vitin 2026, kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar, por vetëm sa ka filluar. Nuk janë ende komisionet parlamentare në Kuvend dhe gjithashtu cili do të ishte ai buxhet i cili do ta kishte mazhorancën prej 61 deputetëve, sepse në dy lexime do t’i duhet që të kalojë në kuvend në të cilin sic e pamë dje, qeveria ose kabineti që propozova unë i mori 56 vota. Kështu, ka shumë të panjohura për rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, tha ai.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti si i tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës pa u zgjedhur një qeveri e re.
Kështu ka deklaruar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti si i tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës pa u zgjedhur një qeveri e re. Për atë arsye unë jam e hutuar me mungesën e urgjencës nga ana e presidentes, ajo do të duhej të ishte këtu që ditën e hënë t’i ftonte partitë politike në takim. Po e ripërsëris që shteti pos tjerash është edhe procedura, jo thjesht si formë por si instrument i ndarjes së pushteteve, kështu që në këto rrethana unë nuk e di sa do të ishte e mundur”, potencoi ajo në RTV 21.
Në një letër drejtuar Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile thanë se mungesa e buxhetit të ri do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.
“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike. Ne besojmë se përvoja, autoriteti dhe roli juaj unifikues si presidente mund të jenë përcaktues për të shmangur një krizë që do të prekte shumë familje në Kosovë”, thuhet në letër.
Këto organizata i propozuan presidentes, siç thanë, disa “rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme”.
Ato kërkojnë që Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2026, apo Kuvendi i tanishëm të paktën ta votojë një zgjatje të buxhetit të tanishëm deri në fund të muajit mars 2026.
Sipas Albert Krasniqit nga organizata Demokraci Plus Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë. Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar”, shkroi ai.
Ai tha se duhet të bëhet i qartë dallimi mes Qeverisë në dorëheqje dhe Qeverisë në detyrë, duke shpjeguar se Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri–Kuvend.
Ndërsa, sipas tij, Qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
“Prandaj, sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë”, shtoi ai.
Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj Qeverie në detyrë.
“Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj”, shkroi ai.
NLigji për Buxhetin e vitit 2026, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike do të duhej të dorëzohej në Kuvend më së largu më 31.10.2025 nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.






