Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të mosmarrëveshjeve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara e në sulme fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Rahovec, ku janë përfshirë në një rrahje tre persona.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pas një fjalosjeje, me ç’rast dy shoferët kanë dalë nga veturat e tyre dhe kanë filluar që të rrihen mes vete. Përpos tyre, në përleshje u përfshi edhe pasagjeri i njërës veturë.
Për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe, kanë ndërhyrë kalimtarët e rastit, të cilët i kanë ndarë të dyshuarit. Ndërkohë është njoftuar Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar tre të rinjtë.
Ata fillimisht kanë marrë tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të pësuara, e më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’.