Lokale - eSIMy

Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur të hënën në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, ku Policia ka ndalur një veturë, shoferi i së cilës kishte thyer rregullat e trafikut.

Kjo i kushtoi të dyshuarit, me ç’rast zyrtarët policorë ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik.

I revoltuar për gjobën, shoferi dyshohet se është futur në sherr me policët, njërin prej të cilëve e ka kërcënuar duke iu drejtuar me fjalët “ti ki me pasë punë me mu”.

Për ta vënë situatën nën kontroll, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën “Kanosje ndaj personit zyrtar”.