Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim kryeshefin Ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, me të cilin ka biseduar për implementimin e projekteve të kësaj kompanie në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info

Gjatë takimit të sotëm të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me Kryeshefin Ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, është biseduar për bashkëpunimin në mes Komunës dhe KEDS-it në investimet që do të bëjë kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike në rrjetin elektrik në territorin e Komunës së Podujevës.

Kryeshefi Ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, e ka falënderuar kryetarin Veliu për bashkëpunimin e deritashëm në realizimin e projekteve në rregullimin e rrjetit elektrik brena territorit të komunës dhe e ka informuar për investimet e planifikuara për sivjet. Kryeshefi ekzekutiv i KEDS-it, tha se gjatë këtij viti janë planifikuar investime në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro në rrjetin elektrik në Komunën e Podujevës.

Kryetari Veliu vlerësoi investimet që po bën KEDS-i në rrjetin elektrik, duke thënë se Komuna do ta përkrah këtë kompani në investimet e saj.

“Komuna do ta përkrah KEDS-in në investimet që po bën në rrjetin elektrik, por njëkohësisht kërkojmë që KEDS-i të përcjell edhe projektet tona, veçmas atë që po realizohet në rrugën kryesore dhe në projekte të tjera”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu gjithashtu kërkoi që KEDS-i të tregohet i kujdesshëm gjatë realizimit të projekteve të veta dhe intervenimeve në rrjet, në mënyrë që infrastruktura e dëmtuar, siç janë rrugët dhe trotuaret të kthehen në gjendjen e mëparshme. Kryetari gjithashtu kërkoi që KEDS-i të vendos ndriçim tek trafot e rrjetit elektrik dhe të mbikëqyr rrjetin e ndriçimit publik në mënyrë që të evitohen kyçjet ilegale në këtë rrjet.

Veliu ia ka përcjellë Kryeshefit Ekzekutiv edhe shqetësimin e qytetarëve lidhur me vendosjen e njehsorëve në shtyllat e rrjetit elektrik dhe pamundësinë e qasjes së konsumatorëve.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, Alper Erbaş, tha se KEDS-i ka siguruar qasjes online të konsumatorëve në njehsorë përmes aplikacioneve në telefona mobile, por edhe përmes numrit në qendrën e thirrjeve në KEDS./Llapi.info